Ky intervenim synon jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës dhe funksionalitetit të hapësirës, por edhe ruajtjen dhe valorizimin e një pjese me rëndësi të veçantë për trashëgiminë urbane dhe kulturore të Prizrenit. “Keji”, si një nga pikat më të frekuentuara të qytetit, përfaqëson një hapësirë me vlerë sociale, historike dhe identitare për qytetarët dhe vizitorët. Përmes këtij projekti po rikthehet dinjiteti estetik i zonës, duke respektuar karakterin e saj tradicional dhe duke e përshtatur me nevojat bashkëkohore të përdorimit publik. Ky është një hap konkret drejt mirëmbajtjes së vazhdueshme të hapësirave publike dhe forcimit të lidhjes mes zhvillimit urban dhe trashëgimisë kulturore.